You Are Here: Home » Islam » 10 Hadithe të Gjelbër, Këshilla Ekologjike nga Profeti Muhamed -

10 Hadithe të Gjelbër, Këshilla Ekologjike nga Profeti Muhamed

10 Hadithe të Gjelbër, Këshilla Ekologjike nga Profeti Muhamed
Çfarë e bën një prijës të suksesshëm? Shumë prijës botërorë dhe figura religjioze kanë ngritur zërin për mbrojtjen e planetit Tokë gjatë luftës së tyre për të arritur në majat më të larta të politikës dhe jo vetëm, por shumica kanë dështuar të hartojnë dhe implementojnë një plan afatgjatë për ruajtjen e planetit.

Profeti Muhamed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, është një nga të paktët, në mos i vetmi, që arriti sukseses të prekshëm jo thjesht duke përcjellë mësime verbale, por duke aplikuar me përpikmëri parimet islame të mirëqenies ekologjike.

Profeti Muhamed a.s, i mësonte njerëzit të jetonin me modesti dhe të konsumonin aq sa u nevojitej, të mbronin jetën e kafshëve dhe të bimëve, dhe të adhuronin Allahun duke u treguar të mëshirshëm me krijesat e tij. Ajo që i dallon këshillat e Profetit a.s është lidhja mes praktikave etike dhe ndikimit të tyre në botën e përtejme pas vdekjes, çka përbën një motivim të madh për muslimanët që të kujdesen për tokën dhe burimet e saj.

Dëshiroj të ndaj me ju këto thënie profetike (hadithe) që besoj se janë ilustrime të shkëlqyera që e paraqesin fenë islame si një “lëvizje” mjedisore tejet të rëndësishme dhe me impakt të jashtëzakonshëm.

1) Besimtari është si një pemë që rritet

“Shembulli i besimtarit është i ngjashëm me një bimë të freskët dhe të butë të cilën era e përkul sipas drejtimit të saj. Por kur era qetësohet, bima drejtohet sërish.” (Buhariu, transmetuar nga Ebu Hurejra)

Profeti Muhamed a.s u mësoi muslimanëve se jeta e tyre në shtegun e besimit duhet të jetë gjithmonë në përparim e sipër duke treguar kujdes ndaj ndryshimit në përgjithësi, por edhe atij klimatik, njësoj si një pemë e re. Do të ketë kohë të vështirë, kur duket sikur stuhia s’do të përfundojë kurrë, por durimi dhe këmbëngulja, njësoj si rrënjët që depërtojnë thellë, do të shërojë degët dhe mbrojë bimët e tjera përreth, pavarësisht shqetësimit apo problemit me të cilin jeta të përball.

2) Mbill një fidan edhe në qoftë vepra e fundit që bën në këtë jetë

“Nëse Kijameti e gjen ndonjërin prej jush me një fidan palme në dorë, le të shfrytëzojë edhe sekondën e fundit para se shkatërrimi të ndodhë për ta mbjellë atë.” (Al-Albani)

3) Mbjellja e pemëve është burim i rinovueshëm shpërblimi

“Nëse një musliman mbjell një pemë apo hedh një farë, dhe pastaj një zog, njeri apo kafshë ushqehet me të, kjo për të konsiderohet si bamirësi (sadaka).” (Buhariu)

4) Shfrytëzoji burimet me kujdes edhe kur përdoren për rituale rutinore

Profeti Muhamed a.s, po kalonte pranë një shoku, Sadit, ndërsa ai po merrte abdes pranë një lumi. Profeti i tha: “Sad, ç’është ky shpërdorim?” Sadi iu përgjigj: “A ka vend për shpërdorim edhe kur merr abdes?” Profeti a.s tha: “Po, edhe nëse gjendesh në bregun e lumit.” (Ibn Maxheh)

5) Mbajtja pastër e mjedisit i shërben komunitetit
“Ruhuni nga ato veprime që ju ngarkojnë me mallkime si kryerja e nevojave personale në hijet e pemëve, në rrugë ose në burimet e ujit.” (Transmetuar nga Muadhi, Hasani dhe Albani)

Higjena dhe pastërtia janë pjesë integrale e islamit, madje pastërtia mund të konsiderohet si nën-degë e besimit islam. Në mungesë të pastërtisë dhe higjenës personale, kryerja e adhurimeve dhe faljes nuk është e mundur. Nëse nuk do të kishim infrastrukturë të pastër, qytetet do të shkatërroheshin nga ndotja, ndërsa në mungesë të përpjekjeve për të përmirësuar higjenën personale pastrimi i ambientit bëhet akoma më i vështirë.

6) Ja çfarë tha Muhamedi për pastrimin e rrugëve

“Largimi i mbeturinave nga rruga është bamirësi (sadaka)” (Transmetuar nga Ebu Dherr el-Ghafarri)

7) Thuaji “jo” konsumit të tepruar (ose të paktën përpiqu ta reduktosh)

Abdullah ibn Abas transmeton se Profeti a.s ka thënë: “Nuk është besimtar ai që tejmbush barkun e tij, ndërsa fqinji është i uritur.” (Vërtetuar nga Al-Albani)

8) Ha çdo ditë e më pak

Ngrënia e tepërt është diçka e urryer në Islam. Agjërimi gjatë Ramazanit synon pikërisht disiplinimin dhe vetëkontrollin për t’i thënë ushqimit “jo”. Profeti Muhamed a.s nuk inkurajonte ngrënien e 3 vakteve në ditë apo ngrënien e vakteve të rënda. Çdo vakt duhet ndarë në dy pjesë, duke zgjedhur mes ushqimit të gatuar në shtëpi dhe jashtë. Një dietë e shëndetshme është gjithmonë zgjedhja më e mirë (më pak mish dhe më shumë jeshillëqe). Në sistemi ligjor islam (sheriat), personi duhet të ndalë së ngrëni sapo ndjesia e urisë shuhet.
“Nuk ka mbushur njeriu enë më të keqe se stomaku i tij. I mjaftojnë birit të Ademit disa kafshata për të jetuar. Nëse do të hajë më shumë, atëherë të kujdeset që një të tretën e stomakut ta mbushë me ushqim, një të tretën me ujë, dhe një të tretën ta lërë bosh që të marrë frymë lirshëm.” (Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)

9) Ricikloni dhe riparoni para se të blini sende të reja

Kur u pyet se si jetonte Profeti a.s në shtëpinë e tij, bashkëshortja e tij, Aishja, tha se ai riparonte këpucët e tij, qepte rrobat dhe i bënte të gjitha punët e përditshme pa u ankuar. (Vërtetuar nga Al-Albani)

Ideja është që t’u tregohet muslimanëve se shërbimi apo punët e rëndomta nuk ishin të pakëndshme për Profetin e Allahut. Ripërdorimi dhe riparimi i gjerave në vend të blerjes së të rejave, nuk është shenjë varfërie, por fuqie dhe zgjuarsie. Duke kryer punët e shtëpisë dhe riparuar sendet e tij, Profeti na mësoi se mund të jetojmë shëndetshëm me më pak sende. Kështu kontrollojmë atë që konsumojmë dhe nuk kemi gjithmonë e më shumë nevoja.


10) Duhet të kujdesemi për kafshët

“Ndërsa një burrë ishte duke ecur, e mori etja, prandaj zbriti në një pus dhe piu ujë në të. Kur doli jashtë, pa një qen që po gulçonte duke ngrënë dheun për shkak të etjes së madhe. Burri tha me vete, ‘Kjo krijesë është duke vuajtur njësoj si unë deri para pak çastesh’, prandaj ai zbriti në pus, mbushi këpucën me ujë dhe e shtrëngoi mes dhëmbëve ndërsa me duar u kacavirr për të dalë nga pusi, për t’i dhënë qenit ujë. Allahu e vlerësoi këtë veprim dhe ia fali mëkatet e tij.”
Sahabët e pyetën Profetin a.s: “O I Dërguar i Allahut, a ka shpërblim edhe për dhembshurinë e treguar ndaj kafshëve?” Profeti a.s u përgjigj: “Shpërblim ka në shërbimin ndaj çdo krijese.” (Buhariu dhe Muslimi)

Profeti kujdesej për kafshët, njësoj si Ebu Hurejra që transmeton këtë hadith. Emri Ebu Hurejre përkthehet “babai i koteleve”. Profeti e etiketoi atë me këtë pseudonim sepse atij i pëlqente të mbante kotele në mëngët e mantelit të tij.

Kafshët luajnë rol të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e sistemit ekologjik. Parimet e Sheriatit e konsiderojnë të detyrueshme për çdo individ përkujdesjen ndaj kafshëve të gjymtuara, shpëtimin e kafshëve të humbura dhe mbrojtjen e foleve të zogjve dhe vezëve që gjenden në to.

Burimi: theecomuslim.com

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes