You Are Here: Home » Ndryshe » Ja si qindra prishtinas humbin kohën në lojëra kompjuterike -

Ja si qindra prishtinas humbin kohën në lojëra kompjuterike

 Ja si qindra prishtinas humbin kohën në lojëra kompjuterike
Nga Bashkim Kastrati

Një numër i madh të rinjsh në Prishtinë e kalojnë një pjesë të madhe të kohës, duke luajtur lojëra të ndryshme kompjuterike. Një kompleks i lokaleve që njihet si “Lokalet e Lesnës” e që gjendet afër fakultetit të Filologjisë është i dedikuar për aktivitete të tilla.

Para disa viteve aty kishte shumë të rinj që rrinin në internet kafe, por me përhapjen e rrjetit të internetit në Prishtinë, pritej që ky fluks i të rinjve të binte sa i përket frekuentimit të këtyre lokaleve. Por kjo nuk ndodhi. Tashmë klientët aty nuk shkojnë për të shfrytëzuar internetin, por për të luajtur lojëra të ndryshme, e që në të shumtën e rasteve janë lojëra që luhen në mënyrë kolektive.

Ekipi i tesheshi.com ka vizituar këtë lokacion për të parë për së afërmi këtë dukuri. Në kohën kur ne ishim aty, dhjetëra lokale ishin duke punuar, ndërsa me qindra ishte numri i atyre që luanin në këto lokale.

Aty kishte fëmijë, por edhe të rritur, të cilët dukeshin të entuziazmuar me lojërat që bënin, përveç kohës së humbur dhe aspekteve të tjera negative, ata harxhojnë një shumë të konsiderueshme të parave për të luajtur disa orë.

Njëri nga të rinjtë na tha që luan për çdo ditë dhe se këtë e bën bashkë me shokët e lagjes.

“Internetin e kam ne banesë edhe në telefon. Nuk vij këtu për internet, por për të luajtur conter strike. Bëhemi një grup dhe luajmë. Shpesh bëjmë gara grupi me grup dhe loja bëhet interesante. Këtu rri 3-4 orë, por edhe më shumë. Varësisht sa kam para, aq rri. Por edhe kur nuk kam para nganjëherë i shikoj shokët se kush po fiton”, thotë ai.

Përveç lojës conter strike, disa të tjerë luanin futboll kompjuterik, e disa edhe bastore. Ata dhe pronarët e lokaleve nuk na lejuan që të incizojmë apo fotografojmë, por ne kemi incizuar një pjesë të vogël të këtij lokacioni të shumëpreferuar nga këta të rinj.

Shpjegimi sociologjik i kësaj dukurie

Sociologu Ferdi Kamberi ka thënë për tesheshi.com se dukuria e lojërave kompjuterike është bërë një ndër gjërat më të përhapura së fundi në Kosovë, kjo pasi që shkopi magjik – interneti pothuajse është i pranishëm në çdo shtëpi.

Ai thotë se në tërë Kosovën ekzistojnë “internet caffe”, ku një pjesë e madhe e të rinjve kalojnë kohën më të madhe duke luajtur lojëra të ndryshme si: conter strike, delta force, etj., lojëra këto që në shumë shtete konsiderohen si të ndaluara për fëmijët nën moshën madhore.

“Ka dy teori të cilat flasin për këtë fenomen: teoria e parë e cila thekson se përdorimin i lojërave kompjuterike sipas moshës dhe kohë racionale, ndikon në zhvillimin e të menduarit dhe inteligjencës dhe teoria tjetër e cila thekson se përdorimi jo – racional i lojërave kompjuterike, sidomos atyre të dhunshme ka pasoja të mëdha jo vetëm për individin por edhe për shoqërinë”, thotë Kamberi.

Sipas tij, përdorimi i tepërt i lojërave të tilla vjen si rezultat i disa faktorëve: pasioni i fëmijëve (të rinjve) për të luajtur këto lojëra, mos kontrollimi nga prindërit se si po e kalojnë kohën fëmijët dhe me kë, ndikimi i grup-moshave, mungesa e aktiviteteve të tjera sportive dhe rekreative me të cilat fëmijët do të mund të kalonin kohën, si dhe faktorë të tjerë.

Ai thotë se edhe përdorimi i internetit që sot është pjesë e globalizmit ka pasojat e tij nëse nuk shfrytëzohet në mënyrë racionale dhe se sa i përket pasojave, ato mund të jenë të paparashikueshme.

“Në këtë drejtim, Lavinia McLean and Mark Griffiths nga Departamenti i Psikologjisë në Nottingham Trent University gjetën se “lojërat kanë pasur ndikime në performancën e nxënësve në shkolla, pastaj përdorimi i lojërave në format e shpeshta, mund të shoqërohet me sjelljen e rrezikut në adoleshencën e vonë dhe rininë e hershme (18 – 26 vjet)”, theksoi Kamberi.

Pasoja të shumta nga ky aktivitet

Kamberi thotë se pasojat po ashtu vërehen tek raportet dhe marrëdhëniet sociale në mes të fëmijëve dhe grup moshave të tyre, raportet dhe marrëdhëniet në mes të fëmijëve dhe familjes, pasiviteti i fëmijëve, niveli i agresivitetit tek fëmijët është më i lartë, pasojat mund të paraqiten edhe me rastin e obezitetit gjatë qëndrimit të gjatë pranë kompjuterëve, miopisë (probleme me sytë), individualizëm i theksuar, varësia ndaj përdorimit të internetit, pasojat janë edhe në imitimin e sjelljeve devijante sipas personazheve në lojërat kompjuterike, gjë që shoqëria pastaj mund të përballet me këto pasoja, etj.

“Ne nuk mund t’ua ndalim përdorimin e internetit fëmijëve, por duhet t’u mësojmë në mënyrën e duhur se si duhet përdorur dhe për çfarë qëllimesh. Andaj, në mënyrë që kjo dukuri të ulet dhe mos të krijohet varësi për fëmijët, duhet që së pari të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet institucionit të shkollës dhe prindërve, në mënyrë që prindërit ta dinë saktë se kur i përfundojnë mësimet fëmijët e tyre, prindërit duhet të kenë një kontroll më të lartë tek fëmijët e tyre se me kë shoqërohen, si e kalojnë kohën, të kenë vizita më të shpeshta në shkollë”, u shpreh sociologu Kamberi.

Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet që në kuadër të përgjegjësive të tyre të hartojnë politika në mënyrë që internet kafet të mos i lejojnë fëmijët nën moshën 18 vjeçare që të luajnë lojëra të tilla. Me fjalë të tjera, duhet që edhe teknologjia informative të shfrytëzohet në mënyrë racionale dhe jo të bëhet varësi, pasojat e së cilës do të vëreheshin më vonë.

Çfarë na thotë psikologu

Psikologu Adem Shala ka thënë për tesheshi.com se pasioni pas lojërave kompjuterike dhe vartësia e tyre nuk është “fenomen nacional” as anomali edukative që lidhet vetëm me shoqërinë tonë. Ai thotë se kjo lloj vartësie po bëhet një tjetër lloj “sëmundjeje” e cila ka filluar të bëhet epidemi sociale.
“Ambienti virtual në të cilin janë zhytur këta të rritur që shumica mund të jenë edhe studentë është burim pasojash dhe probleme të natyrës fizike dhe psikologjike. Në radhë të parë këta të rritur shpenzojnë kohen me çka ka pasoja direkte në kualitetin e jetës, për pasojë mundësia që të zhyten në probleme sociale dhe psikologjike është më e madhe. Imagjinoni sikur një student të kalojë ore të tëra në këto lojëra dhe kur të vije koha e provimeve performaca e tyre pa dyshim do të jetë shumë e ulët, dhe për pasojë krijon situatë dëshpëruese e cila mund të përfundojë në çrregullime depresive të cilat lënë pasoja personale me efekt të përgjithshëm shoqërorë”, thotë Shala .

Ai mendon se statusi socio-ekonomik i këtyre personave përcakton edhe mënyrën si e shohin qëndrimin e tyre, sigurisht që duhet të bëhen analiza cilësore për të kuptuar nxitësin kryesor që i shtyn të rriturit të qëndrojnë gjatë në këto lokale.

“Mendoj se rruga e bindjes, e komunikimit të hapur dhe e sqarimit për vlerën e dobishme që ka koha sasiore dhe cilësore, e cila jo domosdoshmërisht është e lidhur dhe duhet të “rrjedhë” pranë kompjuterit, internetit dhe lidhjes patologjike me to është element kyç që duhet të shpjegohet për këtë kategori”, thotë psikologu Shala. /tesheshi.com/

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes