You Are Here: Home » Familja » Tregimi mbi babain që i ishte afruar vdekja dhe si ua ndau trashëgiminë 4 djemve të tij -

Tregimi mbi babain që i ishte afruar vdekja dhe si ua ndau trashëgiminë 4 djemve të tij

Tregimi mbi babain që i ishte afruar vdekja dhe si ua ndau trashëgiminë 4 djemve të tij
Tregohet se një i parë fisi dhe një burrë i moçëm kishte katër fëmijë. Duke ndjerë se ishte afruar goxha me vdekjen, babai i kërkoi shërbëtorit që ti sjellë katër sëndukë me nga një kyç për secilin. Pa e parë kush, babai i moçëm futi disa gjëra në secilin nga sëndukët dhe mbi emrin e secilit prej tyre shkroi emrin e njërit prej djemve.

Një ditë, ai i mblodhi katër djemtë dhe u tha: ”Bijtë e mi! Kjo jetë është e përkohshme dhe duke ndjerë se jam në prag të vdekjes bëra detyrën dhe ua ndava trashëgiminë sipas drejtësisë. Secili e ka hisen e vet të trashëgimisë brenda këtij sëndukut që mban emrin e tij. I hapni sëndukët vetëm pas vdekjes time. Uroj që ndarja të ketë qenë e drejtë dhe secili prej jush ta pranojë hisen që i kam dhënë. Përndryshe, nëse debatoni dhe nuk jeni të kënaqur, do të shkoni tek filan fisteku, që njihet për ndarje gjyqesh. E lus Zotin tu udhëzojë nga më e mira!”

Disa ditë më vonë, plaku i moçëm ndërroi jetë. Pas funeralit, djali më i madh u tha të tjerëve: ”Besoj se është koha të hapim sëndukët e kyçur. Secili duhet të jetë e kënaqur me ndarjen e babait!”

I morën katër sëndukët dhe i hapën. Por ç’të shohin. Sënduku i djalit më të madh kishte shpatën e babait, unazën e parllëkut dhe flamurin. Në sëndukun e djalit të dytë kishte rërë dhe gurë. Në sëndukun e djalit të tretë kishte ca eshtra. Kurse sënduku i djalit të katërt, atij më të voglit, kishte flori e argjend.

Tre djemtë e parë e kundërshtuan këtë ndarje, të padrejtë sipas tyre. Atyre u mbetën sytë tek florintë dhe argjendi i vëllait të vogël. Menjëherë u erdhi në mendje këshilla e babait, që në rast mosmarrëveshjesh rreth ndarjes të shkonin tek njeriu i ditur që ndante drejt çështje të ngjashme.

U përgatitën për rrugë, pasi kadiu për të cilin u kishte folur i ati jetonte larg. Pasi kaluan çerekun e rrugës u doli para një nepërkë e vogël. Njëri prej djemve mori një gur dhe ia lëshoi sipër, por gaboi shënjestër. Në atë çast, nepërka hap gojën sa një shpellë dhe gati sa nuk i kullufiti. Ishin këmbët e shpejta ato që i ndihmuan dhe i shpëtuan. Të trembur e të lodhur vazhduan rrugën. Kur kishte kaluar gjysma e rrugës u doli para një deve tejet e shëndoshë që kulloste në një vend të shkretë! Më tej panë një deve të ligsht e të dobët që kulloste në një kullotë plot bar të njomë. U çuditën nga këto që po shihnin. Kur kaluan treçerekun e rrugës panë një zog që sillej rreth dy pemëve. Sa herë që qëndronte mbi njerën pemë ajo lulëzonte, ndërkohë që pema tjetër thahej dhe e anasjellta. Të çuditur nga të gjitha këto që u kishin ngjarë vazhduan rrugën drejt kadiut të urtë e të mençur.

Me të mbërritur në fshatin ku jetonte pyetën për shtëpinë e tij. Pasi e gjetën dhe shtëpinë u afruan dhe trokitën tek porta. Ai që ua hapi derën ishte një burrë i moçëm, i ligsht dhe mezi shihte. Menjëherë e pyetën mbi kadiun e mençur dhe ai u tha: ”Po, është im vëlla. Ai është më i madh se unë dhe jeton tek ajo shtëpia tutje!” duke ua bërë me shenjë shtëpinë e të vëllait.
Katër vëllezërit u nisën drejt shtëpisë akoma edhe më të hutuar. “Si do na e ndajë mosmarrëveshjen tonë një plak që e kanë lënë të gjitha?! Nëse ky ishte vëllai më i vogël, si mund të jetë i madhi?!” thoshin me njëri-tjetrin.

Trokitën në derë dhe shumë shpejt ua hapi atë një zonjë plot gjallëri. E pyetën për kadiun famëmadh dhe ajo u përgjigj: ”Këtu është! Hyni dhe priten brenda sa të vijë!” Hynë brenda dhe zonja u ofroi një kafe. Në përfundim të kafesë, kadiu u shfaq dhe u uroi mirësardhjen. Ai jo që nuk ishte i vjetër e i ligësht, por dukej mjaft mirë dhe gëzonte shëndet të plotë.
Pasi u uroi mirëserardhen dhe i respektoi siç e do zakoni, djali më i madh foli: ”Kadi i nderuar! Ne kemi marrë rrugën e kemi ardhur për një mesele tonën, por gjatë rrugës na u bënë pesë mesele që na kanë lënë pa fjalë. Tani nuk dimë nga t’ia fillojmë e nga t’ia përfundojmë!”

Kadiu i urtë u tha:”Fillojani nga katër meselet e fundit, pastaj më tregoni dhe atë tuajën që u solli tek unë! Ishalla na frymëzon Zoti e u jap xhevapin e duhur.” Djali i madh foli dhe tha: ”Gjatë rrugës na doli para një nepërkë e vogël. Njëri prej nesh e gjuajti me gur, por ajo hapi gojën dhe gati sa nuk na kullufiti. Shyqyr Zotit ia dhamë vrapit sa mundnim dhe shpëtuam prej saj.” Kadiu tha: ”Bijtë e mi! Kjo është e keqja, e cila fillon e vogël dhe çdokush prej nesh mund ta shmangë. Por nëse njeriu hyn brenda saj, ajo rritet e merr përmasa të frikshme duke e hutuar njeriun, i cili s’di të dalë më prej saj.

Pa më tregoni meselen e dytë tani!” Djali i madh tha:”Duke udhëtuar na dolën dy deve para. Njëra ishte e trashë dhe kulloste në një tokë krejt të shkretë, kurse tjetra e dobët dhe kulloste në një tokë plot gjelbërim. Sinqerisht na bëri përshtypje, prandaj na trego si qëndron puna!” Kadiu i mençur u tha:”Deveja e parë, ajo e trasha, është njeriu i kënaqur dhe falënderues për mirësitë që i ka dhënë Zoti. Mirënjohja i ka falur qetësi shpirtërore dhe ai i shijon në maksimum ato të mira që ka. Sakaq, deveja e dytë, është njeriu i pakënaqur, pavarësisht se ka fëmijë e pasuri. Ai nuk i është mirënjohës Zotit për të mirat që ka, prandaj dhe nuk i shijon ato kurrë. Tani më tregoni meselen e tretë!”

Djali i madh tha: ”Teksa ndiqnim rrugën pamë një zog që fluturonte e sillej rreth dy pemëve. Sa herë që ndalej tek njëra ajo lulëzonte, ndërkohë që tjetra thahej. E kështu me radhë!” Kadiu i urtë tha: ”Bijtë e mi! Zogu është burri që është martuar me dy gra. Sa herë që shkon tek njëra xhindoset tjetra. Kështu i kalon ditët i shkreti! Tani më tregoni meselen e katërt!”
Njëri nga djemtë tha: ”Kur hymë në fshat na çuan tek shtëpia e vëllait tënd, të cilin e gjetëm të moshuar dhe të ligësht. Kur e pytëm për ty, na tha se je më i madh se ai, por, në fakt ti je më i ri dhe më i shëndetshëm se ai. Cili është sekreti i shëndetit tuaj, pavarësisht se je më i madh se vëllai juaj?” Kadiu u mendua pak dhe u përgjigj:”Im vëlla ka një grua me gjuhën si gjarpër dhe mendje të shkurtër. Ajo e gërryen çdo ditë nga pak shëndetin e tij mendor dhe fizik. Zoti ia lehtësoftë tim vëllai! Sakaq, ime shoqe, shyqyr të madhit Zot, është njeri zemërmirë, e dashur dhe e ndershme, Zoti ma lashtë! Kur erdhët ju, unë isha duke fjetur, e megjithatë nuk më zgjoi menjëherë. U pëgatit kafenë ju dhe pastaj më zgjoi pasi kisha pushuar aq sa kisha nevojë. Ky është sekreti i shëndetit dhe lumturisë time!”

Njëri nga djemtë ndërhyri dhe shtoi:”Tani është radha e meseles së pestë, meseles që na solli tek ti. Ne jemi djemtë e të parit të fisit tonë. Babai ynë ndërroi jetë dhe pasurinë e tij e ndau në katër pjesë. Secilën pjesë e kishte futur në një sënduk të kyçur dhe na urdhëroi të mos i hapim sëndukët veçse pas vdekjes së tij. Ashtu bëmë. Pasi vdiq babai i hapëm sëndukët. Në të parin që mbante emrin e djalit të madh gjetëm një shpatë, unazën e parllëkut dhe flamurin. Sënduku i dytë që mbante emrin e djalit të dytë kishte brenda rërë dhe gurë. Sënduku i tretë që mbante emrin e djalit të tretë kishte brenda ca eshtra. Kurse sënduku i djalit të vogël kishte brenda flori e argjend. Meqë babai na e kishte lënë amanet, që në rast mosmarrëveshjeje të të drejtoheshim ty, ja ku erdhëm dhe të kërkojmë të na këshillosh çfarë të bëjmë. Zoti të frymëzoftë drejt fjalëve të drejta dhe me vend!”

Kadiu u tha: ”Babai juaj paska qenë njeri i urtë e me mend, pasi i ka dhënë secilit prej jush atë që meriton. Kështu, të madhit që i ka dhënë shpatën, unazën e parllëkut dhe flamurin, i ka besuar udhëheqjen e fisit. Ai është trashëgimtari në pushtet dhe ju duhet ti bindeni dhe t’ia dëgjoni fjalën. Djalit që i ka lënë rërën e gurët, i ka besuar të gjitha pronat e patundshme, shtëpitë e tokat. Djalit që i ka lënë eshtrat, i ka besuar të gjithë gjënë e gjallë, dele, kuaj e lopë.
Djalit që i ka lënë floririn e argjendin, është më i dobëti prej jush, prandaj mos e harroni kur ti mbarohen të hollat.
Këshilla ime është që të qëndroni të bashkuar dhe ta doni njëri-tjetrin. Zoti u rujt e u begatoftë me të mirat e Tij!”
Djemtë u larguan të kënaqur nga kjo ndarje.
Nga: Elmaz Fida

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes