You Are Here: Home » Europa » Le Pen dhe Macron me mundësi për të arritur sukses -

Le Pen dhe Macron me mundësi për të arritur sukses

Le Pen dhe Macron me mundësi për të arritur sukses
Sipas sondazheve për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë që do të mbahet më 23 prill, me nga 23 përqind mbështetje kryesojnë kandidatja e së djathtës ekstreme (Frontit Nacional), Marine Le Pen, si dhe lideri i lëvizjes "En Marche" (Marsh), Emmanuel Macron, i cili ka bërë të ditur se politikisht i përket qendrës.

Ndërkaq, përpjekja e Le Penit për ta bartur partinë drejt qendrës në luftën mes të dyve, ka rezultuar i pasuksesshëm për shkak të Macronit, i cili në mënyrë pragmatike e ka zënë me shpejtësi vendin në këtë pozicionim politik.

Sado që konsiderohet me siguri të plotë se Le Pen dhe Macron do t'ia dalin të kualifikohen në raundin e dytë, gara në vend do të zgjasë deri në çastin e fundit, për shkak se 28 përqind të qytetarëve ende janë të papërcaktuar.

Kërkimi për të lëvizur nga e djathta ekstreme drejt qendrës
Marine Le Pen është lindur në traditën e ekstremit të djathtë për shkak të babait të saj dhe njëherësh themeluesit të Frontit Nacional (FN), Jean-Marie Le Pen. Në personalitetin dhe përcaktimin e saj politik kanë ndikuar edhe përvojat të cilat i ka përjetuar që nga fëmijëria.

Mbase faktori më i rëndësishëm që ka ndikuar që Le Pen, një nga kandidatët më të fuqishëm presidencial, të ndjek rrugën politike sikurse babai i saj, është bombardimi i shtëpisë së tyre në Paris kur ajo kishte vetëm tetë vite.

Le Pen, e cila në autobiografinë e saj shkruan se nuk e ka harruar tronditjen që kishte përjetuar nga shpërthimi i pesë kilogramëve dinamit të vendosur para shtëpisë së tyre kur kishte qenë në moshën tetëvjeçare, thotë se së bashku me dy motrat e saj kishte parë se si pjesa e përparme e ndërtesës ishte shndërruar në copa.

Sulmi kishte ndodhur më 1 nëntor të vitit 1976, katër vite pas themelimit të FN-së, kur partia njihej për deklaratat antisemite, ndërsa ende nuk janë zbuluar autorët e sulmit.

Anëtarësia në FN
Marine Le Pen iu bashkangjit në moshë shumë të re radhëve partiake, konkretisht në vitin 1986, teksa pas përfundimit të studimeve ta larta, për t'u bërë avokate, më 1998 u zgjodh anëtare e kuvendit rajonal të FN-së.

Nga viti 2004, Le Pen ushtron detyrën e deputetes në Parlamentin Evropian, ndërkohë që në vitin 2011 erdhi në krye të FN-së duke marrë 67.65 përqind të votave. Në këtë mënyrë, ajo zuri vendin e babait të saj i cili kishte kryesuar partinë që nga vitin 1972.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, Le Pen arriti të sigurojë 17,9 përqind të votave duke e potencuar premtimin se do të mënjanonte papunësinë dhe do t'i dëbonte migrantët ilegalë, duke u radhitur e treta pas François Hollande dhe Nicolas Sarkozy.

Ndërkaq, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në vitin 2014, FN, e kryesuar nga Le Pen, doli si partia e parë në Francë me 24.9 përqind të votave.

48 vjeçarja Le Pen synon që edhe në zgjedhjet presidenciale të këtij viti ta arrijë këtë mbështetje, e cila është zvogëluar për shkak të akuzave për korrupsion në Parlamentin Evropian.

Sipas anketave të fundit, Le Pen gëzon mbështetjen e 23 përqind të votuesve.

Le Pen, e cila veten e ka vlerësuar si më demokrate dhe më republikane sesa babai i saj i pozicionuar në të djathtën ekstreme, më 20 gusht të vitit 2015 largoi nga partia Jean-Marie Le Penin për shkak të disa deklaratave që shkaktuan polemika në opinionin publik.

Qëndrimi kundër muslimanëve
Para zgjedhjes lidere e FN-së, gjegjësisht në vitin 2010, Le Pen kishte përvetësuar qëndrim të rreptë kundrejt muslimanëve, kurse faljen e namazit të xhumasë jashtë xhamive e kishte krahasuar me "Okupimin gjerman". Ndërkaq, shihet se ajo ka evoluuar në idenë se muslimanët "mund të jetojnë në harmoni me shoqërinë franceze".

Megjithatë, retorika e kaluar e Le Penit, siç ishte deklarata se do ta ndalonte madje edhe mbajtjen e shamisë në rrugë, e bën të vështirë që ajo të sigurojë vota nga muslimanët.

Megjthëse kohëve të fundit te Le Pen shihet një qëndrim i zbutur kundrejt muslimanëve, gazetari me përvojë Alain Duhamel thotë në një intervistë se "FN ende sulmon muslimanët në mënyrë indirekte".

Ndryshe nga babai i saj i cili kohë pas kohe bënte spikamë me daklarata antisemite, dihet se Marine Le Pen ka krijuar kontakte me liderët e komunitetit hebre dhe se posedon bazë në nivel të caktuar të votave të hebrenjve.

Gjatë fushatës zgjedhore, Le Pen i ka potencuar intensivisht konceptet si republikanizëm dhe laicizëm, ndërsa vlerësohet të ketë më së shumti mbështetje nga klasa punëtore e cila është e kënaqur nga rendi i vendosur.

Ish-ministri i Ekonomisë nga Partia Socialiste, Emmanuel Macron, i cili u largua nga partia për të themeluar subjekt të pozicionuar në qendër, ka arritur që me lëvizjen e tij që ende nuk i ka mbushur një vjet të kapë potencialin për të kaluar raundin e parë, sukses ky i cili më së shumti lidhet mbështetjen mediatike që ka.

Mendohet se Macronit thuajse i është bërë e mundur "të shkëlqejë" nga një pjesë e rëndësishme e mediave.

Gjatë një interviste, ai ka pohuar se "ka përfituar nga boshllëku politik". Ai thekson se ka nuk ka ndonjë ideologji të caktuar politike, dhe se "nuk gjendet as në të djathtë, as në të majtë".

I lindur në qytetin Amiens në veri të Francës nga prindër mjekë, pjesën më të madhe të jetës së tij e formëson rënia në dashuri në moshën 16 vjeçare me mësuesen e tij të dramaturgjisë Brigitte Trogneux, e cila është 24 vite më e vjetër, dhe martesa me të në vitin 2007.

Thuhet se vazhdimi i kësaj lidhjeje edhe krahas kundërshtimit të familjes, është reflektim i karakterit të tij të lirë dhe të vendosur.

Pas mbarimit të arsimimit në Paris, Macron ka punuar si inspektor financiar dhe, më pas, në një bankë investimi.

Karriera në SP
Macron iu bashkangjit Partisë Socialiste (SP) në vitin 2006, ndërsa në qeverinë e parë të François Hollande, konkretisht në periudhën 2012-2014, ishte zv/sekratar i përgjithshëm i Hollande. Në qeverinë e mëvonshme, Macron u emërua ministër i Ekonomisë.

Gjatë periudhës sa ishte ministër, Macron kishte marrëdhënie shumë të mira me qarqet afariste. Edhe krahas kundërshtimeve intensive dhe protestave, ai arriti të zbatojë rregullime të ndryshme në lidhje me punën me ndihmën e Hollande dhe kryeministrit të atëhershëm Manuel Valls.

Kandidat për qeveri me një lëvizje njëvjeçare
Macron, i cili lëvizjen "En Marche" e themeloi në prill të vitit 2016, në gusht të vitit 2016 u largua nga detyra e ministrit.

Ai e përkufizon veten si liberal në politikat ekonomike dhe si i majtë në çështje sociale.

Macron ka marrë mbështetjen e emrave të rëndësishëm të SP-së, siç janë ish-kryeministri Manuel Valls dhe ministri i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian. Së fundmi, ai ka rritur mbështetjen në opinionin publik në 23 përqind.

Macron njihet si i talentuar në marrëdhëniet me njerëzit dhe cilësohet si pragmatik, ndërkohë që po ashtu ka marrë kritika për programin e tij, i cili është konsideruar si jokonsekuent.

Si faktorë që kanë ndikuar në ngritjen e Macronit thuhet të jenë rekomandimi i politikave ekstreme nga kandidati SP-së Benoit Hamon, dhe akuzat për korrupsion ndaj kandidatit të Partisë Republikane, François Fillon.

Ndërkaq, sipas votuesve, problemi më i madh i Macronit është mosha e re dhe mungesa e përvojës e ekipit të tij që përbëhet nga politikanë të rinj.

Një nga temat që fliten nga votuesit, është se në rast se Macron zgjidhet president, atëherë çfarë performance do të tregojë në zgjedhjet parlamentare që po ashtu mbahen këtë vit dhe nga cilat emra do të përbëhet kuadri i tij.

Nga ana tjetër, sado që në zgjedhjet presidenciale të spikasin dy kandidatë, François Fillon dhe kandidati i së majtës ekstreme Jean-Luc Melenchon ndjekin nga afër këta dy kandidatë me nga 19 përqind mbështetje.

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes