You Are Here: Home » Ndryshe » Ja çfarë thoshte Johan Volfgang von Goethe (Gëte) për Islamin -

Ja çfarë thoshte Johan Volfgang von Goethe (Gëte) për Islamin

Ja çfarë thoshte Johan Volfgang von Goethe (Gëte) për Islamin
Poeti më i madh i Evropës, lavdia e gjuhës gjermane dhe e jetës intelektuale. Edhe pse e kaloi jetën e tij në një vend jomusliman, ai pranoi dhe deklaroi se pajtohej me gjithë zemër me pohimin e dy dëshmive (Shehadetin): S’ka Zot tjetër veç All-llahut, Një dhe të Vetëm, dhe Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është i Dërguari dhe, njëko­hësisht, vula e të gjithë të dërguarve të Tij. Veç të tjerash, ai thotë:

“Çmenduri, secili në rastin e vet

Mendimin e tij të veçantë lëvdon!

Nëse Islam do të thotë nënshtrim ndaj Zotit

Ne jetojmë dhe vdesim në Islam”.[1]

“Dhe, kështu, na duhet të qëndrojmë brenda Islamit (d.m.th.: në nënshtrim të plotë ndaj vullnetit të Zotit)…”[2]

“Më tepër nuk kam ç’të them, përveç asaj se, edhe këtu, unë përpiqem të qëndroj në Islam“.[3]

“Këtu askush nuk mund të këshillojë njeri; secili duhet të vendosë vetë, se çfarë duhet të bëjë. Ne të gjithë jetojmë në Islam, pavarësisht nga forma që zgjedhim për të inkurajuar vetveten“.[4]

“Mbështetet… në çdo pikëpamje të arsyeshme fetare dhe është në Islam, të cilin ne, herët a vonë, të gjithë duhet ta pranojmë“.[5]

“Feja Muhamedane jep shembullin më të mirë për këtë“.[6]

“Ju e shihni se, këtij sistemi, nuk i mungon asgjë dhe se ne, me gjithë sistemet tona, nuk jemi aspak më të përparuar, madje askush nuk mund të shkojë më përpara… Ky sistem filozofik është një masë e shkëlqyer, të cilën njeriu mund ta aplikojë te vetvetja dhe te të tjerët, për të mësuar se në ç’nivel të virtytit shpirtëror jemi“.[7]

“Efesi për shumë vjet,

Nderon mësimin e profetit

Jezus. (Paqja qoftë mbi të Mirin!)”[8]

“Besimi në një Zot të vetëm është gjithmonë i efektshëm për ngritje shpirtërore, sepse ai tregon për njeriun, njëshmërinë brenda vetes“.[9]

“Herët a vonë, duhet të pranojmë Islamin, sepse ai pajtohet me arsyen“. [10]

“Nëse Islami është bindje ndaj Zotit, atëherë, të gjithë (lin­dim) jetojmë dhe vdesim në Islam“.[11]

“Është shumë e çuditshme se si muslimanët fillojnë t’i edu­koj­në fëmijët e tyre. Ata e kalisin rininë e tyre, që në fillim, me bindjen se asgjë s’mund t’i godasë veç asaj që ia ka për­cak­tuar më parë Zoti, i Cili udhëheq në gjithçka dhe në çdo gjë. Kështu, ata janë të përgatitur gjatë gjithë jetës së tyre dhe pajtohen me fatin, dhe nuk u duhet pothuajse asgjë tjetër. E shihni, këtij mësimi nuk i mungon asgjë. Me gjithë sistemet tona edukative, ne nuk kemi shkuar aspak më tej, madje askush nuk ka mundësi të shkojë më tej“.[12]

Sipas Anemari Schimel, e cila është njëra nga njohëset më autoritative dhe më kompetente të Islamit në Evropë, Gëte ka mbetur tërë jetën i entuziazmuar me Islamin, ndoshta edhe për arsyen se Islami i ka pëlqyer, sepse Gëte kurrë nuk e ka pranuar idenë e kryqëzimit të Jezusit, as shëlbimin e tij dhe as ngarkesën e tij me mëkate njerëzore. Në Divanin e vet, ka mjaft qëndrime antikrishtere, nga pozita e besimit islam.[13]



[1] Këto fjalë, Gëte, i thotë në njërën nga poezitë e Divanit, (WA I 6, 128), shih: Shejh Abdulkadir Al Murabit, Johann Wolfgang Von Goethe dhe ‘Marrëdhëniet e tij me fenë islame’, Tiranë, 2000, f. 15.

[2] Gëte i tha këto fjalë, pas një aksidenti që i ndodhi karrocës së tij (në korrik 1816). Ai e kuptoi se nuk do ta shihte më kurrë Marianne von Wilmer-in, me të cilën mendonte të martohej pas vdekjes së Kristjanës. (WA IV 27, 123), ibid, f. 20.

[3] Të njëjtën gjë, ai thotë edhe në një letër drejtuar Zelter-it, më datë 20. 9. 1820, (WA IV 33, 132), ibid, f. 20.

[4] Kur, më 1831, u shfaq një epidemi kolere, nga e cila vdiqën shumë njerëz, nëpërmjet një letre, Gëte e ngushëllon kështu një miken e tij, Louise Adele Schopenhauer: (më 19. 9. 1831, WA IV, 49, 87), ibid, f. 20.

[5] Më 22. 12. 1820 Gëte i shkroi një letër falënderimi mikut të tij Wilemer, i cili i kishte dhuruar një libër me aforizma. Ai, mes tjerash, i kishte shkruar këto fjalë, (WA IV 34, 50), ibid, f. 21.

[6] Si pjesëmarrës në Luftën e 1792 kundër Francës, Gëte shkruan, më 7-8 tetor 1792, se besimi në paracaktimin e gjithçkaje nga Zoti, gjen shprehjen e tij më të pastër në Islam, (WA I 33, 123), ibid, f. 21, 22.

[7] Eckerman na njofton për një bisedë të tij me Gëten, më 11. 4. 1827, rreth metodës së edukimit të muslimanëve. Gëte e mbyll këtë diskutim me këto fjalë, Shejh Abdulkadir Al Murabit, op. cit., f. 22.

[8] Gëte, këtu, e përshkruan Jezusin si profet, (WA I 6, 296), ibid, f. 9.

[9] West-ostlichen Diwan, WA I 7, 42, ibid, f. 23.

[10] Hilmo Neimarlija, Dug Geteu, Islamska Misao, v. V. nr. 51, Mars, Sarajevë, 1983/1403, f. 41.

[11] Rozhe Garodi, Gjallërimi Islamik, Gjakovë, 1991, f. 1.

[12] Islamska Misao, Sarajevë, 1983, op. cit., f. 41.

[13] Dituria Islame, Prishtinë, 1996, nr. 79, f. 28.

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes