You Are Here: Home » Shqipëria » Pakti me Ramën: të gjitha premtimet nga të cilat hoqi dorë Basha -

Pakti me Ramën: të gjitha premtimet nga të cilat hoqi dorë Basha

Pakti me Ramën: të gjitha premtimet nga të cilat hoqi dorë Basha
Revolucioni si një furtunë në gotë dhe Republika e Re që lindi dhe vdiq me çadrën e protestës: pse PD-ja dhe Basha hoqën dorë nga qeveria teknike pa Ramën kryeministër dhe deri tek numërimi elektronik….

Lulzim Basha ka marrë shumë nga marrëveshja me Edi Ramën, por s’ka marrë pothuajse asgjë nga kërkesat e tij madhore të çadrës. Premtimi më madh i tij ishte “jo zgjedhje me Edi Ramën”, por jo vetëm që do të shkojë në zgjedhje me Ramën kryeministër, por do të shkojë me një Ramë që nga armik e ktheu në mik.

Dorëheqja e Ramës, si kush i panegociueshëm, sipas Bashës, ishte në fakt dhe sebepi pse dështuan negociatat e mëparshme në prill dhe në fillim të majit. Por, Rama nuk iku dhe as nuk u hodh në Lanë, siç trumpetonte mentori politik i Bashës, Berisha, por është sot më i fortë se kurrë si kryeministri më zemërgjërë ndaj opozitës në këto 27 vite demokraci.

Qeveria teknike, si një tjetër kërkesë ku ngriheshin themelet e çadrës, është realizuar pothuajse; pasi 6 ministra do të jenë teknikë të propozuar nga PD-ja.

Por, a ka kohë dhe mundësi kjo qeveri gjysëm teknike për të funksionuar deri më 25 qershor? Vetëm një muaj jetë e saj nuk besoj se ofrojnë për Bashën garancitë që do të donte realisht nga një qeveri teknike. Një ministër i sapoemëruar disa javë parazgjedhore nuk ka kohë as të njihet me administratën në varësi dhe jo më ta kontrollojë atë plotësisht.

Data e zgjedhjeve është një tjetër premtim i Bashës që sot rezulton i rrëzuar me marrëveshjen politike. Zgjedhjet jo vetëm nuk u shtynë deri atëherë kur ishte plani i tij, në vjeshtë të këtij viti ose në fund të vitit, por nuk arriti të merrte as lëshimin e paketës McAllister që parashikonte datën 16 korrik. Zgjedhjet u shtynë vetëm me një javë kohë duke mos i dhënë mundësinë opozitës që të organizohet për zgjedhje. E gjithë energjia e PD-së ishte përqendruar në çadrën e protestës dhe ajo gjendet tashmë para faktit të kryer që duhet të nxjerrë me nxitim një listë kandidatësh për deputetë e të organizojë partinë për fushatë disa javë pasi kundërshtarët e kanë nisur fushatën .

Garancia për zgjedhje të lira e të ndershme ishte përkufizuar me dy kërkesa që ishin tërësisht teknike: identifikim biometrik i zgjedhësve dhe numërim elektronik i votave. Të dyja këto kërkesa nuk u plotësuan, duke marrë vetëm premtimin për një reformë zgjedhore pas shtatorit. Gjithsesi ka marrë garanci për kontrollin e zgjedhjeve duke pasur kryetarin e KQZ-së, i cili do t’i nënshtrohet një shumice nga ana e mazhoracnës, duke ia lënë sërish vendimarrjen në dorë asaj.

Vetingu ishte një tjetër premtim i Bashës me të cilin luante në çadër. Ai kishte si kusht për votimin e komisioneve të vetingut rikthimin pas të 7 ligjeve të reformës në drejtësi, por me marrëveshjen e re kjo çështje u fut tek lista e premtimeve të “vdekura”.

Me teorinë “kërko shumë që të marrësh pak”, Basha ia arriti të merrte pushtet në tavolinë duke shënuar një nga marrëveshjet më të paprecedenta në politikën shqiptare vetëm pak javë para zgjedhjeve; pasi duke qenë i pavotuar, ai ka sot gjysmën e qeverisë dhe krerët e disa agjencive dhe institucioneve kushtetuese. Por, Revolucioni i Madh dhe Republika e Re e premtuar prej tij do të mbeten si relike të diskursit politik.

Ndërsa demokratët që i besuan, që duhet të ndiheshin të zhgënjyer sot, në fakt janë duke bërë kalkulime për ndonjë vend pune në administratë se u krijua iluzioni sikur erdhën në pushtet pa shkuar fare në zgjedhje. /tesheshi.com/

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes