You Are Here: Home » Islam » 2 mitet kryesore mediatike mbi Profetin -

2 mitet kryesore mediatike mbi Profetin

2 mitet kryesore mediatike mbi Profetin
Para pak kohe zhvillova një bisedë me një jomusliman mbi faktin se Muhamedi nuk është aq “i pastër” sa ne themi. Kur e pyeta mbi burimet e tij, ai më tha, “Mund të lexosh materiale pa fund në lajme dhe në mediet sociale”.
Kjo bisedë e shkurtër më bëri të mendoj: Po nëse nuk do të isha musliman, nuk do të kisha takuar kurrë një musliman, dhe gjithçka që do të dija mbi islamin dhe muslimanët do ta kisha parë në televizor? Si do të ndihesha?

Ne duhet të punojmë për të zhdukur këto steriotipe mbi islamin dhe muslimanët, duke i treguar botës fytyrën e vërtetë të islamit. Por, përgjigjet dhe reagimet tona duhet të reflektojnë mësimet e karakterit të butë dhe bujar të Profetit a.s.

T’i hedhim një sy dy miteve kryesore të krijuara dhe propaganduara nga media.

Miti 1: Muhamedi u martua me disa gra për të kënaqur dëshirat dhe epshet e tij

Muhamedi u martua me 11 gra. Sidoqoftë, shumica prej tyre ishin të veja. Shumë nga këto martesa u kryen për të ndihmuar dhe mbështetur gratë e veja, ndërsa të tjerat për të forcuar aleancat dhe lidhjet politike.

Struktura sociale për kohën që flasim nuk ishte aspak dashamirëse ndaj grave të veja ose atyre që jetonin të vetmuara. Në shoqërinë e asaj kohe (para 1400 vjetësh në mes të shkretëtirës), këto martesa konsideroheshin si akte fisnikërie dhe bujarie. Martesa vlerësohej si një akt mbrojtjeje dhe dhembshurie, jo vetëm si burim kënaqësie.

Islami i mbrojti gratë, njësoj si sot. Si shembull mund të sjellim praktikën e shoqërise paraislame arabe që i dëbonte gratë duke i lënë në harresë dhe duke i deklaruar si “nëna” të bashkëshortëve të tyre (kjo praktikë quhej zihar). Islami e ndaloi këtë praktikë dhe u mundësoi grave të divorcuara që të rimartohen, duke u rikthyer kështu pozitën dhe prestigjin e merituar në shoqëri.

Rrëfenjat e hershme gjithashtu tregojnë se marrëdhënia e Profetit a.s me gratë e tij bazohej mbi dashurinë, ndjeshmërinë, respektin dhe dinjitetin, ndërkohë që të tjerët ndiqnin shembullin e tij të përkryer. Në një hadith, Profeti a.s thotë: “Më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirët me bashkëshortet e tyre.” (Tirmidhiu)

Po ashtu, martesa e parë e Profetit a.s me Hatixhen, u bazua mbi respektin dhe dashurinë e ndërsjellë. Ajo vdiq rreth të gjashtëdhjetave, ndërkohë që Profeti a.s vajtoi për vdekjen e saj deri kur vdiq, 13 vjet më pas.

Miti 2: Muhamedi ishte profeti i luftës

Muhamedi ishte një pacifist par excellence. Ai kishte qëndrim të fuqishëm kundër dhunës, përveçse kur nevojitej për të mbrojtur të pafajshmit; ai vazhdimisht deklaroi gatishmërinë e tij për të shpallur luftë në mbrojtje të hebrenjve të Medinës dhe të krishterëve në manastirin e Shën Katerinës. Veç kësaj, për plot 12 vjet, rezistoi në mënyrë pasive ndaj dhunës dhe persekutimit të organizuar kundër tij dhe pasuesve të tij në Mekë. Nxitja e Allahut ishte e qëndrueshme dhe e vazhdueshme për të mos i kushtuar rëndësi sulmeve.“Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (Kur’ani 7:199)

Po, Muhamedi u përfshi në luftë, pasi duroi për 12 vite të gjatë dhunën fizike dhe psikologjike (emocionale), dhe vetëm me lejen e Allahut.

“Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë” (Kur’ani 22: 39)

Pra, leja – jo urdhërimi – për të luftuar është dhënë për arsye mbrojtëse.

“Ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut.” (Kur’ani 22:40)

Ky ajet përmend një rregull lufte, që është mbrojtja e tempujve, kishave, sinagogave dhe xhamive – që nënkupton liri universale besimi.

Në një hadith, Muhamedi urdhëron zbatimin e këtyre rregullave gjatë luftimit, rregulla që konsiderohen të pashmangshëm.

“O njerëz! Ju ngarkoj me zbatimin e 10 rregullave; mësojini mirë…që t’ju shërbejnë si udhëzim gjatë betejave! Mos tradhtoni, dhe as mos u shmangni nga rruga e drejtë. Mos gjymtoni kufomat. Mos vrisni apo lëndoni fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Mos dëmtoni pemët, mos i digjni ato, veçanërisht nëse prodhojnë fruta. Mos therni asnjë nga bagëtitë e armikut, edhe në qofshin tufë, dhe kurseni ushqimin tuaj. Do të kaloni pranë njerëzve që ia kanë përkushtuar jetën shërbimit në manastire; lërini të qetë!” (Tirmidhiu)

Rregullat e luftës të vendosura nga Muhamedi japin dritën e gjelbër vetëm për luftën mbrojtëse, ndërsa ndalojnë në mënyrë strikte lëndimin e njerëzve, kafshëve dhe dëmtimin e pronës.

Prandaj nuk përbën aspak çudi që Ai është vlersuar si njeriu me më shumë ndikim në historinë e njerëzimit nga studiuesi Majkëll Hart në veprën me titull 100 njerëzit me më shumë ndikim në histori. (1978)

Kur’ani thekson se Muhamedi është thjesht një njeri, një i dërguar i Allahut që erdhi në një kohë ku sundonte konfuzioni moral dhe çorganizimi shoqëror. Ai sfidoi sistemin ekzistues me një perceptim të ri mbi drejtësinë sociale. Muhamedi erdhi me një mesazh uniteti, një mesazh që pohoi se të gjithë kemi një Zot të vetëm, Allahun, një mesazh që mbi të gjitha ishte paqtues.

Burimi: understandquran.com

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes