You Are Here: Home » Bota » SHBA mbështet në 10 pika organizatën terroriste PKK/PYD në Siri -

SHBA mbështet në 10 pika organizatën terroriste PKK/PYD në Siri

SHBA mbështet në 10 pika organizatën terroriste PKK/PYD në Siri
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) posedojnë dy baza ajrore dhe njësi speciale dhe pajisje në tetë pika ushtarake në Siri në rajonet e kontrolluara nga organizata terroriste PKK/PYD, të cilën SHBA-të e konsiderojnë si aleat. Forcat speciale amerikane, teksa i ofrojnë mbështetje organizatës në operacionet kundër organizatës terroriste DEASH, nga ana tjetër përkujdesen për mbrojtjen e tyre kundër forcave të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS).

SHBA-të themeluan bazën e parë në tetor të vitit 2015, në rajonin Rumejlan në verilindje të prefekturës Haseke që gjendet nën kontrollin e PKK/PYD-së, kurse në mars të vitit 2016 bazën e dytë në fshatin Harab Ishk në jug të Kobanit (Ajn el-Arab).

Teksa baza në Rumejlan ka madhësinë që në të zbresin edhe avionë mallrash, baza në Harab Ishk përdoret vetëm për helikopterë ushtarakë.

Një pjesë e dërgesave ushtarake të SHBA-ve në rajonet e PKK/PYD-së që nga prilli i vitit 2016 hyn përmes rrugëve tokësore nga kufiri me Irakun, kurse pjesa tjetër zbarkohet në Rumejlan me avionë mallrash.

Sipas të dhënave që AA ka përpiluar nga burimet lokale, krahas dy bazave ajrore, SHBA-të në Siri posedojnë edhe tetë pika ushtarake në rajonet e okupuara nga PKK/PYD-së. Këto pika përbëhen nga njësi të vogla operacionale në terren, të cilat mund të mobilizohen çdo çast.

Përveç këtyre, fabrikat të cilat nuk paraqesin vështirësi për t'u konvertuar, përdoren si vende akomodimi ose pika operacionale të PKK/PYD-së.

Forcat amerikane e mbajnë të fshehtë ndërtimin e pikave operacionale, duke i shpallur disa zona në veri të Sirisë si "zona me akses të ndaluar".

Në këtë tetë pika gjenden të pozicionuar përgjegjës oficerë për kontakt për gjuajtje me artileri dhe sulme ajrore, këshilltarë ushtarakë, përgjegjës për trajnim dhe përgjegjës për planifikim të operacioneve.

Ndërkaq, në mesin e pajisjeve gjenden artileri me kapacitet për t'u përshtatur me natyrën e luftës civile në Siri, raketa shumëtytëshe, pajisje të ndryshme mobile për kundërzbulim dhe autoblinda "Stryker" që shërbejnë për sigurinë e bazave ajrore dhe për patrullim.

3 pika në Haseke

Pika më e re operacionale e SHBA-ve në Siri është Tel Bejder në veri të prefekturës Haseke.

Në Tel Bejder aktualisht gjenden afër 100 forca speciale të SHBA-ve që shërbejnë për t'u dhënë mbështetje militantëve të PKK/PYD-së në operacionet kundër DEASH-it.

Po ashtu, edhe në ish-zonën bujqësore në verilindje të qytezës Tel Temir që gjendet në jug të qytetit Resulajn në kufirin e Hasekes me Turqinë, janë të pozicionuara forca speciale të huaja nën përkujdesjen e SHBA-ve dhe koalicionit ndërkombëtar.

Ndërkaq, në qytetin Deirezor në jug të Hasekes ndodhen 150 forca speciale amerikane për të bashkëpunuar me militantët e PKK/PYD-së në operacionet që do të organizohen kundër DEASH-it.

2 pika në Munbixh

SHBA-të kanë dy pika operacionale në qytetin Munbixh, të cilin organizata terroriste PKK/PYD e mori nën kontroll në gusht të vitit 2016 me ndihmën e SHBA-ve.

Në veri të Munbixhit, konkretisht në rajonin Ajn Dadat, gjendet një pikë operacionale e forcave speciale amerikane.

Ekipet e forcave speciale të pozicionuara në Ajn Dadat, zhvillojnë aktivitete kundër forcave të ULS-së në rajonin e çliruar përmes operacionit Mburoja e Eufratit në veri.

Pika tjetër në Munbixh e forcave amerikane është ajo e vendosur në rajonin Usharije, në perëndim të Ajn Dadatit.

Njësitet që ndodhen këtu bëjnë patrullime për ta mbrojtur PKK/PYD-në kundër ULS-së.

3 pika në veri të Rakkas

Në Kodrën Mishtanur që gjendet në jug të qytetit Kobani në veri të Rakkas, në pikën ku është edhe radio-kulla, krahas njësiteve speciale amerikane ka edhe forca speciale franceze.

Ndërkaq, në një pikë tjetër në veri të Rakkas, gjegjësisht në jugperëndim të qytezës Ajn Isa, ndodhet baza e PKK/PYD-së nën emrin "Forcat Demokratike Siriane" (FDS), ku janë të vendosur 200 forca amerikane dhe deri në 75 forca speciale franceze.

Ndërkaq, SHBA-të përdorin si njësi ajrore një pikë në rajonin Sept në jug të Kobanit, pranë qytetit Sarrin.

Nga kjo njësi ajrore sigurohet municion për pikën e përbashkët me PKK/PYD-në në qytezën Ajn Isa.

Pika në rajonin Sept përdoret për përgjimin dhe interceptimin e komunikimeve të organizatës terroriste DEASH dhe për të mundësuar komunikimin me qendrën e koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it.

PYD, degë në Siri e organizatës terroriste PKK, okupon Haseken, Munbixhin si dhe qytetet Afrin dhe Tel Rifat. Militantët e PKK/PYD-së, të cilët SHBA-të i konsiderojnë si aleat, në Siri përdorin emrin "Forcat Demokratike Siriane" (FDS).

PKK/PYD më 12 tetor të vitit 2015 bashkoi nën emrin FDS disa grupe të vogla me të cilat kishte afërsi përmes mbështetjes në armë dhe logjistikë. Që atëherë, shumica dërmuese e FDS-së përbëhet nga militantë të PKK/PYD-së, kurse edhe kryesia u përket atyre. Të gjithë terroristëve dhe krerëve në FDS u janë dorëzuar uniforma me emblemë të organizatës, pro disa terroristë vazhdojnë të veshin uniforma me figurën e kreut të burgosur të PKK-së, Abdullah Ocalan.

Organizata terroriste PKK ka zhvilluar një fushatë terroriste kundër Turqisë për më shumë se 30 vjet, gjatë së cilës më shumë se 40.000 njerëz kanë humbur jetën. PKK gjithashtu është përfshirë në prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

SHBA-të e konsiderojnë FDS-në si një "partner i besueshëm" në terren në Siri në luftën e saj kundër organizatës terroriste DEASH në Raka dhe vazhdon t'i ofrojë mbështetje me armë, veprim të cilin Turqia e ka kundërshtuar fuqishëm./Rtv Islam/

Komentet

    No Comments!

Leave a Comment

Captcha

Shkruaj kodin:

RtvIslam © Copyright 2014 - Powered by: Mevlana Art

Shko ne krye te faqes